Regjisori dhe aktori Edmond Budina akuzoi ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, se po ushtron presion ndaj institucionee të pavarura shqiptare, sikurse ishte vizita e tij në Gjykatën Kushtetuese ditën kur do të merrej vendimi për Teatrin Kombëtar.
“Zoti Soreca për mendimin tim në çështjen e Teatrit Kombëtar është një diversant që ka sabotuar çështjen e Teatrit Kombëtar dhe këtë e them me bindje të plotë. Ne kemi bërë disa takime me të dhe ai nuk ka reaguar fare, shkon në Gjykatën Kushtetuese fshehurazi, ditën që do gjykohej çështja e Teatrit . Pse nuk e bëri publike siç i ka bërë të gjitha të tjerat? Pse nuk u shpreh z.Soreca edhe pas takimit, dhe pasi e zbuluam ne. Të thoshte ‘i kërkoj Gjykatës Kushtetuese të jetë e paanshme’. Këtë duhet të bënte z.Soreca dhe jo të na akuzonte për shpifje, le të na akuzojë, ka për ta parë që nga ato shpifje do të dalin të vërteta fjalët tona. Sepse aty padiskutim që është diskutuar për çështjen e Teatrit Kombëtar, dhe ne do të kërkojmë edhe prokurorë, hetues ndërkombëtarë që ta verifikojnë, ta zbulojnë sepse nuk ka asnjë protokoll për atë ç’ka është biseduar atje.
Nuk ka asnjë gjë publike, pastaj në fund të fundit, përse shkon ai në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e Gjykatës kushtetuese nuk ka tagër për reformën në drejtësi, as nuk cakton se kush do të jenë dy vakancat e lira. Përse shkon ai ditën që gjykohet çështja e Teatrit kombëtar.
Ne të drejtën tonë e kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë. Soreca me ne nuk do ta kalojë kaq lehtë. Soreca do të përballet me ne, me komunitetin europian, do të përballet me SPAK, do ta denoncojmë z. Soreca për të gjithë veprimtarinë e tij për sa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar. Që ditën e hënë ne do të vazhdojmë, luftën tonë dhe nuk dua të them gjëra të tjera, por z.Soreca ka ndërhyrë edhe në vende të tjera sa i përket cështjes së Teatrit Kombëtar që nuk dua t’i zbuloj këtu. Në nivele ndërkombëtare, por do t’i sqarojmë të gjitha një e nga një.”– tha Budina, ndërsa theksoi se e cilëson një vendim historik vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
