SHKUP– Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka treguar se çfarë ka bërë për Kosovën gjatë kohës që ka qenë kryesues i OSBE-së.
Në një intervistë, Osmani ka thënë se ka qenë ai që ka bërë planin 9 pikësh për mospërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës. Ai tha se ky propozim i tij më pas është bërë plan i Qeverisë së Kosovës.
“Fillimisht kam qenë në vizitë në Prishtinë. Përveç takimit me presidenten, kryeministrin , ministren e jashtme, me kryeministrin vizituam edhe Akademinë për policë, ku i përshëndetem policët e rinj përfshirë edhe ata të komuniteteve. Për së dyti pastaj dola me planin 9 pikësh për deeskalim në veri të Kosovës, si kryesues i OSBE-së për shkak se me vendim të OSBE-së është vështirë të merren vendime për shkak se janë me konsensus atje dhe prandaj shfrytëzova mandatin tim si kryesues që të dal me planin 9 pikësh i cili pastaj u bë edhe plan i Qeverisë së Kosovës për deeskalim, përfshirë këtu shpalljen e zgjedhjeve dhe normalizimin e situatës atje”, ka thënë ai.