Sot në emisionin “Historia ime” në Tv Klan u rrëfye historia e një nëne ish-viktimë e trafikut. Ajo preferoi të qëndronte anonime, prandaj është rënë dakord që gjatë emisionit ta thërrasin Ina. Në moshën 15-vjeçare, ajo jetoi vetëm në Vlorë pasi prindërit u dënuan për një krim makabër. Ata vranë djalin e tyre. Ina rrëfeu se babai ishte i dhunshëm.
“Babi pinte dhe nga pija e sipër nuk dinte se çfarë bënte. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Ai vrau fëmijën e vet dy muajsh. Nëna për moskallëzim krimi shkoi në burg. Ne kemi qenë në gjumë. Kur jam ngritur në mëngjes kemi parë sëpatën me gjak dhe kërcurin. Pasi e pyesim mamin disa herë ku është vëllai, ajo nga gënjente thoshte që është te daja. Pasi unë kam mbushur 12 vjeçe kam zbuluar se si ishte e vërteta dhe shkova i tregova policisë. Shkova për të shpëtuar vëllezërit e mi dhe veten time. Ai na rrihte me çfarë të kishte në dorë, me rrip pantallonash, me mashë. Unë mbeta vetëm me dy vëllezërit. Vëllezërit i mori xhaxhai kurse mua më mori daja”, tregoi ajo.
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2001. Vëllezërit e Inës janë më të vegjël se ajo, ndërsa Ina shprehet se nuk takohet me babain se ka frikë që do të hakmerret. Me nënën është takuar vetëm njëherë.
