Buxheti 2022 në mbështetje të rinisë dhe të rinjve adreson drejtpërdrejt kërkesat e tyre dhe siguron integrim në tregun e punës.
Kështu u shpreh sot në Kuvend, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
Muzhaqi tha se “ky buxhet adreson problemet me infrastrukturën shkollore duke filluar nga problematikat më bazike dhe duke vijuar më tej me laboratorët e shkencave dhe teknologjisë, rikonstruksione palestrash, edukim më të mirë karriere dhe një lidhje më të ngushtë mes shkollës dhe tregut të punës”.
“Janë 500 milionë lekë për programin e fëmijëve dhe të rinjve, 240 milionë lekë për programin e kodimit, 122 milionë lekëpër mbështetjen e të rinjve nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Kodimit, 700 milionë lekë për Tiranën kryeqytet europian, por edhe me buxhetin e çdo ministrie që ndikon direkt apo indirekt fëmijët apo të rinjtë”, tha ajo.
Muzhaqi theksoi se “në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit po punojmë për një arsim parauniversitar më të mirë duke përfshirë në kurkula anglishten që në klasën e parë, si dhe teknologjinë e informacionit që në fillore”.
Po ashtu, Muzhaqi theksoi se “duke ndërkombëtarizuar arsimin e lartë dhe duke ofruar një cilësi edhe më të mirë arsimimi, duke pajisur shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet me laboratorë moderne”.
“Qeveria ka ecur me dixhitalizimin duke u bërë e para në rajon, nga 1% në 95% shërbime online, duke kursyer 766 vite pritje në radhë dhe rreth 6.5 milionë euro të kursyera. Do të subvencionojmë qendrat e kodimit për t’i përgatitur ata për një të ardhme dixhitale. Këtë vit për herë të parë do të kemi një buxhet të dedikuar në dispozicion për fëmijët dhe të rinjtë për zbatimin e programit kombëtar për artet, zejet, sportin. Buxheti 500 milionë lekë për fëmijët nga klasa e parë në klasën e 12, është një buxhet i vendosur për herë të parë dhe me fondet e tretëve kjo shifër do të dyfishohet”, tha Muzhaqi.
