Mbi 36 mijë familje kanë përfituar bonusin për të porsalindurit që nga 1 janari i këtij viti. Kryeministri Edi Rama, i cili ka dhënë lajmin thekson edhe se në buxhetin e vitit 2024 qeveria shqiptare do të vijojë të financojë Programin e Bonusit të Bebes.
Rama informoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm për Programin e Bonusit të Bebes do të jetë në dispozicion një fond prej 2.2 miliardë lekë, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj. Programi kombëtar i bonusit të bebes ofron mbështetje financiare për të porsalindurit dhe familjet e tyre pavarësisht statusit social apo ekonomik të tyre.
Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.
