Shumë familje shqiptare e kanë traditë që ditën e parë të Vitit të Ri të presin byrekun brenda të cilit fshihet një monedhë. Anëtari i familjes që gjen monedhën do të ketë një vit me fat e me të ardhura. Dhe një ndër byrekët më të dashur për t’u përgatitur në këtë festë është mesniku ose byreku me mishin e kokës së viçit. Le të shohim si përgatitet:
Përbërësit:
- 600 gr miell
- gjysmë koke viçi
- 3-4 qepë
- pak vaj ulliri
- kripë
- piper
- niseshte
Përgatitja
- Zëmë brumin me pak ujë të vakët dhe e lëmë të pushojë. Ziejmë kokën e viçit dhe e ndajmë në copa të vogla. Në një tigan kaurdisim qepët, shtojmë copat e mishit për t’u dhënë shije, i rregullojmë me kripë e piper dhe fikim sobën.
- Hapim petët të cilat i pjekim pak mbi sobë ose në furrën e sobës. Lyejmë një tepsi me vaj dhe vendosim dy petët e para. I spërkasim me lëngun e mishit dhe vendosim një pjesë nga masa e përgatitur me mish dhe qepë.
- Vazhdojmë kështu edhe me petët e tjera. Në fund e mbulojmë me një petë të pjekur dhe e vendosim të piqet në 180 gradë për 20 minuta. / shije.al/