Shqipëria dhe Greqia ende nuk kanë arritur të gjejnë dakordësi për çështjen e detit në mënyrë që t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Lajmi është pranuar nga vetë kryeministri Edi Rama në Pragë ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian. Për këtë çështje, Rama dhe Mitsotakis zhvilluan një takim në kryeqytetin çek.
“Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve”, u shpreh kreu i qeverisë.
Në takimin e parë të Komunitetit Politik Europian, Rama bëri me dije se vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e diskutimit me Bashkimin Europian për të përballuar krizën energjetike.