“Veprimet e qeverisë amerikane nënvlerësojnë kapacitetet tona”. Kështu është shprehur themeluesi i Huawei, Ren Zhengfei, sipas BBC.
Por sipas medias kineze Global Times Ren ka thënë se licenca e përkohshme prej 90 ditësh e dhënë nga qeveria amerikane nuk do të thotë asgjë për Huawei, pasi kompania është e përgatitur mirë dhe ka teknologjitë e saj.
Ren ka siguruar se shoqëria është në gjendje të vijojë me furnizimin e tregut me produkte dhe shërbime, dhe se sanksionet e SHBA-së nuk do të dëmtojnë biznesin.
Ndërkohë qeveria amerikane zbut presionin ndaj Huawei duke i dhënë ”licencën e përkohshme 90 ditësh që rikthen pjesërisht kërkesat dhe politikat e licencës në bazë të Regullores së administrimit të eksporteve”, thuhet në dokumentin e Departamentit Amerikan të SHBA.
Në bazë të kësaj licence Huawei mund të blejë produkte dhe shërbime amerikane për të bërë operativë smartphone që i ka tashmë në treg, rrjetet dhe aparatet ekzistuese, përfshi dhe përditësimet e software dhe “patch” të sigurisë. Por kjo licencë nuk parashikon blerjen e komponentëve amerikane të destinuar për krijimin e produkteve të reja.