Kreu i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj duket se ka qenë më i qartë deri tani nga opozita se çfarë do të ndodhë në 30 qershor. Si një prej kryetarëve të bashkisë së Partisë Demokratike Frrokaj tha se udhëzimi i KQZ-së nuk është ligj, por dekreti i Presidentit, prandaj me herët se të dilte dekreti infrastukrura zgjedhore ishte bërë gati.
“Unë jam i detyruar të zbatoj dekretin e presidenti”. Kështu deklaron kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. Në emisionin Opinion, ai tregoi se kur presidenti Meta nxori dekretin e parë, në zonën që administron bëri gati qendrat e votimit. Më pas kur Ilir Meta anuloi 30 qershorin, sipas tij u mbyllën qendrat e votimit.
“Unë jam i detyruar të zbatoj dekretin e presidenti. Udhëzimi i KQZ-së nuk është ligj, dekreti i presidentit është ligj. Është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos. Në fillim ne hapem qendrat e votimit, kur doli dekreti për anulimin e datës mbyllëm qendrat e votimit”, tha Fran Frrokaj.
Ai tregoi se ka kërkuar lirimin e të gjitha shkollave apo ambienteve të tjera ku mund të zhvillohet procesi zgjedhor.
“Shkollat janë në autoritetin e bashkisë dhe nëse do hapen pa lejen tonë kjo është një çështje force pastaj”, theksoi kryetari i Bashkisë së Lezhës.
“Kur bëhen dy budallenj mirë është të mos jesh aty. Çdo kryetar bashkie nuk duhet të jetë pjesë e një zënke”, tha më tej zoti Frrokaj.
I pyetur nëse do të lirojë zyrën, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ai tha: Nuk besoj që është kaq e thjeshtë dhe nuk besoj të kaloj kaq lehtë. Unë do t’i drejtohem gjykatës.
