Ministrja Elisa Spiropali, e zgjedhur nga kryeministri Edi Rama si nga 3 përfaqësuesit e PS-së për të kryesuar fushatën e qarkut të Tiranës, u ndal sot në Kavajë, qytet i njohur në fillimet e demokracisë dhe deri vonë, si bastion i së djathtës.
Madje Kavaja njihet edhe si zona ku kandidonte ish-kryeministri Sali Berisha.
Pikërisht aty ishte sot Elisa Spiropali, e cila tha se mblodhi “Asamblenë Socialiste të Kavajës, për të vijuar organizimin kapilar deri në fitoren e 25 Prillit”.
Ajo fitoren e bazoi tek ndryshimi, sipas saj, mes partisë që ajo përfaqëson dhe kundërshtarit, ku edhe lëshoi akuza ndaj Berishës.
“Kavajsit më mirë se kushdo e dinë ndryshimin mes nesh dhe opozitarëve tanë zulmë-mëdhenj e punë-pak. Nga Saliu i Parë (I) e të gjithë me radhë, Kavajën e përdorin si slogan dhe e tundin si flamur. Në fakt e lanë pas një bastion të keqpërdorur, të painvestuar, të pazhvilluar”.
“Për ne Kavaja është një bashki me potencial të jashtëzakonshëm. Qeveria dhe bashkia Kavajë, kanë investuar fuqishëm për t’i ndryshuar faqen. Siç e meriton qytetaria dhe njerëzit e kësaj zone të begatë”.
“Ne jemi bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira”, tha Spiropali, duke kujtuar vëmendjen ndaj të dëmtuarve nga tërmeti.
“Investimet e qeverisë dhe bashkisë nuk do të ndalin për të tjera punë transformuese në Kavajë, ashtu siç ky vend i meriton dhe i ka pritur për kaq vjet, që nga koha kur shëtisnin këtej anëve punëhiçët që u ndëshkuan me votë dhe do të ndëshkohen sërish”, tha ajo.