Një foshnje 16-muajshme nga Durrësi humbi sot jetën nga Covid-19. Ajo vuante dhe nga një sëmundje e rëndë e lindur, e njohur si sindroma Kawasaki.
Specialistët e pediatrisë në Londër në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar që një numër i vogël, por në rritje i fëmijëve, sëmuren me një sindromë të rrallë që mund të lidhet me koronavirusin.
Shoqata e Kujdesit Pediatrik në Mbretërinë e Bashkuar (PICS) paralajmëroi për një rritje të vogël të numrit të rasteve të fëmijëve me sëmundje kritike, disa që kishin testuar pozitivisht për COVID-19, duke paraqitur “tipare të sindromës së shokut toksik dhe sëmundjes atipike ‘Kawasaki’ me parametra të gjakut”.
Çfarë është sëmundja Kawasaki?
Sëmundja Kawasaki, e njohur edhe si sindroma Kawasaki, është një sëmundje e rrallë në fëmijëri, e cila bën që muret e enëve të gjakut në trup të acarohen.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), ajo prek kryesisht fëmijët nën moshën 5 vjeç, megjithëse mund të prekë fëmijët e çdo moshe.
Simptomat përfshijnë një temperaturë të lartë që zgjat pesë ditë ose më gjatë, së bashku me një skuqje në qafë, buzë të thata e të plasaritura, gishtërinj dhe sy të kuq.
Nëse trajtohen, simptomat zakonisht bëhen më pak të rënda, tha NHS, duke shtuar se sëmundja nuk është ngjitëse.
Mostrajtimi i Kawasaki-t mund të rëndojë gjendjen shëndetësore të fëmijëve duke i rrezikuar edhe ndaj një ataku kardiak.