Përplasjet në rritje midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër u shfaqën hapur të enjten në periferitë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke kërcënuar të hedhin hije mbi bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me koronavirusin.
Asambleja e këtij viti është mbajtur në internet për shkak të pandemisë dhe fokusi i saj ka qenë përballja me COVID-19 përmes veprimeve të efektshme shumëpalëshe.
Në një aktivitet periferik në Këshillin e Sigurimit për këtë temë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësimin se pandemia po shpaloset në një sfond “tensionesh të larta gjeopolitike”.
“Pandemia është një provë e qartë e bashkëpunimit ndërkombëtar, një provim që ne nuk e kemi kaluar në thelb,” tha zoti Guterres në videokonferencën e organit më të fuqishëm të OKB-së. Tensionet u shfaqën hapur në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë folën për mosmarrëveshjet e tyre me Shtetet e Bashkuara
“Në një moment kaq sfidues, vendet e mëdha kanë një detyrim akoma më të madh që të vendosin të ardhmen e njerëzimit në plan të parë, të hedhin poshtë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimin ideologjik si dhe të bashkohen në frymën e partneritetit për të kapërcyer vështirësitë”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Homologu i tij rus tha se diferencat midis disa vendeve janë ringjallur dhe rritur nga ndikimi i virusit.
“Një numër shtetesh tundohen gjithnjë e më shumë të kërkojnë jashtë vendit për të gjetur përgjegjësit për problemet e tyre të brendshme,” tha Sergej Lavrov. “Ka përpjekje të dukshme nga shtetet e veçanta për të përdorur situatën aktuale për të promovuar interesa të tyret kalimtare dhe për të larë hesape me qeveritë e padëshiruara ose rivalët gjeopolitikë,” tha ai.
