Të jesh ministër përveç benefiteve ka edhe rregulla që duhen zbatuar. Përtej ligjit ka dhe një Kod Etik që duhet të zbatohet.
Gjatë mbledhjes së parë të qeverisë Rama tha se, në këtë kod përfshihet ndalimi për të shkuar në restorant apo kafene, në ditët e punës.
Veturat e anëtarëve të qeverisë në rrugë, duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit njësoj si të gjitha automjetet, përveçse në raste urgjencash të pashmangshme apo njësoj ndalimi i përdorimit të makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij/saj.
“Një tjetër cështje që aneksi i Kodit duhet të sanksionojë dhe të detajojë janë dhuratat e lidhura me funksionin. Sot, Kryeministria ka një muze të dhuratave dhe një magazinë të posaçme që ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës, që nga medaljonet e këmbyera në takimet zyrtare apo objektet e ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre, të ulët apo të lartë monetare, deri tek dhuratat me vlera shumë të larta monetare.”, tha kryeministri
Rama theksoi se Kodi Etik nuk është vetëm një kornizë normash të përgjithshme etike në letër, por një mënyrë jetese për detyrën publike të çdo ministri në respekt të qytetarëve.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë së re
E ndajmë edhe me opinionin publik këtë nisje zyrtare të punës sonë të përbashkët fillimisht si nevojë për të komunikuar me dyer të hapura disa norma të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave dhe përmbajtjen e vendimeve që do të marrim në këtë mbledhje të parë që qeverisë së re.
Çdo anëtar i kabinetit duhet të zotohet këtu publikisht në respektimin me besnikëri në frymë dhe në germë të Kodit Etik, duke marrë kështu qysh sot edhe përpara publikut përgjegjësinë personale për zbatimin e tij.
Teksti i Kodit Etik është aprovuar me vendim të qeverisë në shtator të vitit 2013, si një dokument parimesh që përcakton vijën e sjelljes së anëtarëve të qeverisë. Kodi është në fuqi dhe unë këtu do qëndroj në disa pika kyçe të thëna ose jo shprehimisht në dokumentin e miratuar.
Fjalët që do dëgjoni janë rrjedhojë edhe e eksperiencës e këtyre viteve dhe e nevojës që jo vetëm puna, por edhe sjellja publike e anëtarëve të qeverisë të jetë sa më e njehësuar me pritshmërinë e qytetarëve ndaj nesh, që ata na kanë besuar shërbimin e lartë të qeverisjes së vendit.
Për shembull, në Kod nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë nuk duhet të fluturojnë si rregull në business class kur udhëtojnë nëpër Europë, as që anëtarët e qeverisë nuk mund të shkojnë me pushime jashtë shtetit. Nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë të shkojnë në kafene ose të drekojnë ose darkojnë në restorant gjatë ditëve të punës, përveçse festa familjare për të cilat njoftojnë paraprakisht kabinetin e Kryeministrit ose vetëm në raste të veçanta kur dreka apo darka ka një arsye pune të bërë me dije më parë. Natyrisht këtu nuk e kam fjalën për rastet kur ministrat janë me punë jashtë Tiranës, por për ditët e punës në Tiranë.
Dy të parat, për udhëtimet dhe pushimet përgjithësisht janë zbatuar dhe kjo ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në aspektin etik, krahasuar me kohët e mëparshme kur anëtarët e qeverisë udhëtonin si biznesmenë apo shulleheshin në plazhet e botës. Por edhe këto duhen shtuar për miratim dhe detajuar në një aneks të Kodit ku të shkruhen të gjitha rastet përjashtimore apo të përcaktohet shprehimisht, fjala vjen, se një ministër nuk mund të pranojë bileta udhëtimi të paguara nga kompani private as për veten, as për bashkëshortin apo bashkëshorten apo fëmijët e vet. Ashtu si psh duhet përcaktuar në aneksin e Kodit Etik që bashkëshortët e fëmijët e tyre nuk mund të përdorin sallën VIP të aeroportit nëse nuk udhëtojnë së bashku me ministrin përkatës.
E njëjta gjë vlen për lëvizjen e veturave të anëtarëve të qeverisë në rrugë, të cilat duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit njësoj si të gjitha automjetet, përveçse në raste urgjencash të pashmangshme apo njësoj ndalimi i përdorimit të makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij/saj.
E treta, ndalimi për të shkuar në restorant apo kafene, në ditët e punës, përvec rasteve që u parathanë, megjithëse është sjellë në vëmendje nga ana ime më shumë sesa një herë, për fat të keq nuk është zbatuar. Kjo është dhe arsyeja që përveçse për të shprehur nevojën e një aneksi të detajuar të Kodit, dua ta them publikisht sot që të gjithë qytetarët ta dine, së pari, që qeveria ka një Kod Etik dhe së dyti, ky Kod Etik nuk është vetëm një kornizë normash të përgjithshme etike në letër, por një mënyrë jetese për detyrën publike të çdo ministri në respekt të qytetarëve.
Ndaj, dua ta bëj me dije dhe publikisht që në rastin e parë të mosrespektimit të këtyre dhe të tjera pikave të Kodit Etik, ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë publike, ndërsa në rast përsëritje, duhet të lirojë vendin në këtë tryezë. Për të mos patur asnjë ekuivok , kjo kornizë vlen njësoj edhe për mua dhe më vjen mirë ta them që jo vetëm nuk e kam pasur problem ta respektoj 8 vjet, por nuk e kam problem ta respektoj edhe 4 të tjera.
Një tjetër cështje që aneksi i Kodit duhet të sanksionojë dhe të detajojë janë dhuratat e lidhura me funksionin. Sot, Kryeministria ka një muze të dhuratave dhe një magazinë të posaçme që ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës, që nga medaljonet e këmbyera në takimet zyrtare apo objektet e ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre, të ulët apo të lartë monetare, deri tek dhuratat me vlera shumë të larta monetare.
Deri në vitin 2013, nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, zero, a thua se deri në 2013 këtu ka qëndruar një fuqi pushtuese, e cila ka ikur pa lënë asnjë gjurmë. Madje, jo vetëm nuk kanë lënë ç’kanë marrë, por edhe kanë marrë plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu apo godinat e shërbimeve qeveritare; piktura, abazhurë, karrike, kolltukë, tavolina, televizorë, kompjutera, pjata, lugë, pirunj, filxhanë, e me radhë.
Nuk bën përjashtim nga ky absurditet antishtet as historiku i zyrave administrore. Por meqë nuk është shkruar asgjëkundi detyrimi për të inventarizuar dhuratat dhe objektet ekzistuese të zyrave që ju do keni nëpër ministri, atëherë edhe kjo duhet shkruar në aneksin e Kodit, që të gjitha dhuratat e delegacioneve të çfarëdo natyre apo të individëve që tejkalojnë një vlerë të caktuar financiare si për shembull, si psh orët e dorës, duhen inventarizuar dhe ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës suaj ose duhen dorëzuar në stokun e muzeut të dhuratave protokollare në godinën e Këshillit të Ministrave apo godinën e ministrive kur një hapësirë e tillë është e mundur.
Këto të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla ose disave që me siguri do i komentojnë me lloj-lloj formash, mund t’i duken kinezerira. Por në fakt, këto kinezerira janë norma të zbatuara denbabaden në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla.
Kodi do vlejë njësoj edhe për zëvëndësministrat dhe është detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë që krahas hartimit të aneksit të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave, të sjellë në mbledhjen e tretë të qeverisë, në bashkëpunim me sekretarët e përgjithshëm të ministrive edhe projektvendimin për rregullat e sjelljes që drejtuesve të lartë të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, qofshin ato kombëtarë apo rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një sërë detyrimesh të natyrësh etike dhe duhet të marrim përgjegjësi publike, por edhe administrative për zbatimin e tyre.
Është detyra juaj të ndiqni ecurinë në procesin e zbatimit të këtyre rregullave që do miratojmë edhe për ta, me vetëdijen se ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetërore, kapadaillëkun, tangërllëkun, dhe karshillëkun publik të shefave të llojllojshëm nëpër territor.
Një aspekt i rëndësishëm i Kodit tonë Etik, i cili është normë e kudondodhur në dokumenta të ngjashëm të shumë qeverive demokratike të botës, është respektimi i parimit të kolegjialitetit, jo vetëm në procesin vendimmarrës, por edhe në komunikimin publik, jo vetëm të anëtarëve të kabinetit qeverisës, por të të gjithë drejtuesve të lartë të institucioneve qëndrore apo rajonale të ekzekutivit.
E sjell këtë në vëmendjen tuaj si nevojë duke mbajtur parasysh domosdoshmërinë e koordinimit me kryeminsitrinë për çdo komunikim publik, në kushtet kur komunikimi tanimë është shtrirë gjërësisht edhe në rrjetet sociale.
Na kanë vrarë sytë në këto vite dhe na kanë bërë të ndjehemi keq në sytë e publikut disa raste të patolerueshme drejtorësh të institucioneve, të cilët papërgjegjshmërisht organizojnë mbrëmje tematiko-dëfrimi me kolektivin. Nuk flas as për 8 marsin, as për Vitin e Ri ku mund të organizohen festa, por kurrsesi me fondet e agjensive dhe drejtorive apo ndërmarrin të ashtëquajturat udhëtime pune jashtë shtetit me kanakarë të tyre, prej të cilave postojnë pastaj pa asnjë gajle momente të hareshme këndelljesh turistike, duke e bërë të neveritshme fare figurën e zyrtarit të shtetit.