Përveç administrimit të shërbimit të integruar të sterilizimit, Operatori Publik i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit do të marrë nën administrim edhe dy shërbime të tjera të rëndësishme kombëtare në sistemin shëndetësor, kontratat koncesionare të të cilave përfundojnë gjatë këtij viti.
Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala ka inspektuar ambientet logjistike të këtij operatori, duke vlerësuar se po ndërtohet një model i ri publik për menaxhimin e shërbimeve mbështetëse të sistemit shëndetësor.
Kontratat koncesionare në shëndetësi, të lidhura në vitin 2015, kanë pasur një afat 10-vjeçar dhe një kosto totale prej qindra milionë eurosh.
Kontrata e sterilizimit, me vlerë rreth 150 milionë euro, përfundoi afatin në fillim të këtij viti. Ndërkohë, dy kontratat e tjera – ajo e kontrollit bazë shëndetësor dhe shërbimi i hemodializës – pritet të përfundojnë përkatësisht në shtator dhe nëntor të vitit 2026.
Këto kontrata kanë qenë prej vitesh në qendër të debateve publike dhe janë hetuar edhe nga strukturat e posaçme të drejtësisë, për shkak të dyshimeve për abuzime me fondet publike dhe korrupsion.
Vlera e kontratave koncesionare në shëndetësi:
- Sterilizimi: 150 milionë euro
- Kontrolli Mjekësor Bazë: 120 milionë euro
- Shërbimi i Hemodializës: 60 milionë euro
