Shumë ekspertë e analistë tregu po mbështesin idenë se çmimi i një fuçie naftë mund të kapërcejë shumë shpejt pragun e 200 dollarëve.
Kuotimi i arit të zi mori një tjetër hov pas lajmit se ishin sulmuar depot e naftës në Arabinë Saudite. Edhe pse flakët që pushtuan objektet e naftës së “Saudi Aramco” pas goditjes nga rebelet Huthi, janë vënë tashmë nën kontroll, situata në tregje nuk është stabilizuar krejtësisht.
Në bazën e luhatjeve të çmimit, qëndrojnë më shumë tensionet gjeopolitike. Agresioni rus në Ukrainë dhe sanksionet e rrepta te perëndimit i kanë komplikuar ndjeshëm eksportet e kolosëve rusë të të energjisë, prodhuesit e dytë më të mëdhenj të naftës bruto në botë. Kjo do të thotë se Moskës i duhet të gjejë tregje të tjerë për të shitur naftën e saj.
Ndërkohë, është e destinuar të rritet kërkesa ndaj prodhuesve alternativë nga ana e vendeve perëndimore, e kjo sipas ekspertëve, do të shtyjë çmimin drejt 200 dollarëve, sepse mund të mos ketë mjaftueshëm ofertë për të kënaqur kërkesën.
