Nga Klementina Cenkollari

Kriza e pandemisë e ka kthyer vëmendjen e së gjithë botës nga shëndeti dhe shërbimet ndaj tij, si kurrë më parë në histori.

Disa ilaçe ekzistuese mund të na ndihmojnë në përballimin e pandemisë së koronavirusit teksa presim që vaksina të jetë e aksesueshme për të gjithë.

Por çmimet e larta nga kompanitë farmaceutike bëjnë që shumë prej qytetarëve të mos arrijnë të përfitojnë trajtimin e tyre.

 Trajtimi në shtëpi po u kushton pacientëve shqiptarë qindra mijëra lekë vetëm në një javë, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare.

Kostot e trajtimit të Covid-19 mund të kushtojnë 30 mijë lekë të reja për një javë.

Ka raste që këshillohet edhe skaneri që është kosto ekstra apo bombula e oksigjenit, që është një ndër produktet më të kërkuara që prej shfaqjes së Covid 19.  Një bombul 8 litroshe kushton 13 mijë lekë të rinj, por që duhet të përdoret me shumë kujdes pasi një pakujdesi mund të çojë gjer në pasoja fatale për jetën e pacientit. Ndaj duhet patjetër nga mjeku. Ndërkohë aparatet e oksigjenit elektrike kushtojnë 800-900 euro, por mund të jepen me qira, me një shumë prej 3 mije lekë të muaj. Oksimetri është një tjetër ndër më të kërkuarit dhe kushton 4 mijë lekë të rinj.

Kjo është fatura e një pacienti me COVID-19

 Çmimi i medikamenteve dhe ekzaminimeve nuk janë e vetmja kosto që duhet të paguajnë pacientët covid që trajtohen në shtëpi. Për një muaj një i sëmurë covid, shpenzon mesatarisht 100 mijë lekë të reja për ilaçe, e nëse i shtojmë kësaj fature edhe kostot e infermierit në shtëpi, apo edhe ndonjë ekzaminim specifik, siç mund të jetë skaneri apo grafia, atëherë kostoja e trajtimit në shtëpi e covid shkon deri në 200 000 mijë lekë në muaj për një person. Për 4 anëtarë të një familjeje, kostoja shkon të paktën 800 mijë lekë, një shumë tepër e lartë për një familje në Shqipëri ku paga minimale është 30 mijë lekë të rinj.

Arlinda Shehu (Gjypi), Menaxhere Projektesh, Shoqata “Together for Life” shprehet se Covid 19 ka qenë një barrë shumë e madhe për familjet shqiptare pasi që në fillim të pandemisë nuk ka pasur një mbështetje reale nga institucionet shtetërore.

“Nuk pati një mbështetje reale nga shteti, sidomos për rastet e trajtuara në shtëpi. I kemi kushtuar vëmendje këtij vendimi i cili teorikisht duhet të përmbushë dhe të mbështesë nevojat e qytetarëve shqiptarë të cilët trajtohen nga COVID-i në shtëpi”, thotë Shehu.

Diola Mustafallari, farmaciste, na shpjegon me detaje se sa është kostoja e medikamenteve sipas stadeve për një pacient.

“Po themi një trajtim fillestar duke nisur me vitaminoterapinë dhe një antibiotik të tipit të  Makrolideve që është një nga antibiotikët nga më të thjeshtët në trajtimin e Covid-it, që mund të jetë një Azitromicinë mund të shkojë në një kosto mesatare 4-5 mijë lekë. Në raste kur janë forma pak më të rënda kostoja rritet, kalohet në terapi me injeksione, kryesisht është ceporina  të tipit të cefuroksinave apo ceftriaxon, po themi në një mesatare prej 5 -7 ditësh në 15-20 mijë lek.

Pastaj është dhe grada e një forme më të rëndë pasi do të duhet të merret oksimetri, vitaminoterapia vazhdon, shtohen laktoferina, fermentet laktike, çdo gjë kalon në injeksion, mund të kalohet në levofloksacina, në cefepima. Ka raste dhe  Moksifloksacina që janë klasa me spektër më të gjerë veprimi dhe normalisht kanë kosto më të lartë”, thotë Diola Mustafallari, farmaciste.

Grisilda Jahollari farmaciste shprehet se ka plot raste ku për pamundësi ekonomike, disa medikamente mjekësore mund të zëvendësohen për kosto më të lirë.

“Zëvendësimi i medikamenteve kryesisht është bërë vetëm te medikamentet për temperaturën, paracetamolin ose një multivitaminë. Nëse është paketa e plotë me antibiotikë nuk bëhen ndërrime”

Jahollari pohon se ka raste kur qytetarët jo gjithmonë i drejtohen mjekut për t’u trajtuar, duke u nisur me rekomandime të miqve të tyre të cilët e kanë kaluar COVID-19 më herët.

“Përherë ka raste që dhe vetë kanë një rekomandim të tyre por është e mira që të ndjekin një rekomandim të mjekut apo të farmacistit”, thotë Jahollari.

Ish-mjeku i Urgjencës, Ilir Allkja, i cili u shkarkua për shkak të denoncimit të problemeve me përballimin e pandemisë COVID-19, thotë se kjo shpjegon mungesën e një protokolli standard.

“Kjo shpjegon mungesën e një protokolli standard. Normalisht Ministria e Shëndetësisë do të duhet të kishte organizuar kurse trajnimi të shpeshta për mjekët e familjes dhe për të gjithë mjekët e Shqipërisë, gjë e cila nuk ka ndodhur.  Për mua sistemi është i dështuar pasi të gjithë të prekurit me staturinë oksigjeni poshtë 94 për qind ose minimalisht poshtë 90 për qind duhet të trajtoheshin domosdoshmërisht në spitale”, shprehet Allkja.

Rimbursimi i ilaçeve për pacientët me Covid-19 ishte një hap i kërkuar me kohë nga ekspertët e shëndetësisë, nga pacientët, por edhe nga opozita.  Qeveria shqiptare deklaron se ka financuar 1.2 miliard lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 përbëhet nga dy skema trajtimi. Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me Covid-19. Paketa anti-Covid e financuar nga qeveria, përmban barna që janë aktualisht në listën e rimbursimit, por edhe barna të reja të cilat janë shtuar në paket. Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, aktualisht mundësinë e rimbursimit të barnave e kanë 927 farmaci nga 1500 farmaci që ka në total në të gjithë Shqipërinë.

Por sa efektive është kjo skemë rimbursimi dhe sa realisht kanë përfituar qytetarët?

“Fillimisht pati interesim nga ana e pacientëve kur u trumbetua edhe në media për pjesën e rimbursimit,  por që nuk rezultoi e suksesshme. Askush nuk ka kohë për të humbur dhe për t’’u marrë me burokracira të tilla. Thjesht bëjnë vizitat te specialistët, i ekzekutojnë dhe përpiqen të shpëtojnë sa më shpejt nga kjo gjë”, deklaron Diola Mustafallari.

Ajo që po vihet re është mungesa e barnave, të cilat nuk kanë as alternative duke vendosur në vështirësi serioze pacientët.

“Tregu gëlon nga mungesat. Janë mungesa të cilat ndonjëherë janë dhe problematika se janë dhe jetësore. Kjo përtej praktikës së COVID-it, ka barna të cilat nuk kanë as alternativa të tjera në treg dhe normalisht krijojnë probleme”, nënvizon Diola Mustafallari.

Znj. Arlinda Shehu (Gjypi) thekson se ajo që shihet ende si problem është dhe fakti që një pjesë e tamponëve dalin negativ, ç’ka bën që qytetarët të mos përfitojnë dot rimbursim pavarësisht faktit se ata janë të prekur. 

“Një pjesë e konsiderueshme e tamponëve dalin negativ në një kohë që individi në fakt është me Covid -19. Një gjë e tillë shkakton që këta persona të mos marrin rimbursim të ilaçeve nga shteti pavarësisht faktit që janë pozitiv dhe janë të prekur nga Covid-i”, thotë Shehu.

Mjekët pohojnë se tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore të nxitura nga politikat e rimbursimit. Për rrjedhojë, qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë përfshirë ato më të lirat, që kanë më pak efekt.

Mjeku Ilir Allkja thotë se lista e miratuar nuk është e pasur dhe nuk i përmbush të gjithë nevojat.

“Ne jemi një vend i varfër, një vend i varfër nuk mund të ketë mjekësi të zhvilluar. Normalisht kjo nuk është një listë e pasur dhe nuk i përmbush të gjitha nevojat. Përveç asaj, kriteri bazë për përfitimin e këtyre barnave është testi pozitiv”, deklaron Allkja.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2020 janë importuar 24 miliardë lekë (gati 200 mln euro) preparate dhe medikamente dhe zunë 4.2% të importeve totale në këtë periudhë. Importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje vjetore me 2% në 2020-n, por ekspertët lajmërojnë për rritje të shitjeve në periudhën në vijim.

Shënim: Podcasti është prodhuar në kuadër të projektit “Nxitja e Edukimit për Median dhe Informacionin dhe Fuqizimi i Medias së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”. Përmbajtja nuk shpreh qëndrimet e partnerëve mbështetës të këtij produkti mediatik.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here