Gazetari Klodian Tomorri ka reaguar pas lirimit të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle. Në një status në rrjetet sociale, Tomorri shkruan me ironi dhe nota humori se “çunat” po izolohen një nga një në shtëpitë e tyre dhe se neni 41 bis ka rezultuar i sukseshëm. Sipas Tomorrit, me këtë ritëm lirimesh mund të ishin kursyer paratë që u përdorën për të izoluar kapot e krimit, pasi qeveria jonë mesi po paguan pensionet. Në fund, gazetari shton se kanë dalë edhe fjalë që SPAK-u do merret me gjobat e makinave.
“Ky neni 41 bis që miratoi qeveria për të izoluar kapot e krimit, po rezulton aq shumë efektiv saqë çunat po izolohen një nga një nëpër shtëpiat e tyre. Të paktën të na kishit kursyer ato lekët që u shpenzuan për reformën në drejtësi, vettingun dhe SPAK-un se s’kemi takat ne të mbajmë rroga 5 milionë lekëshe për gjyqtarë dhe prokurorë. Mezi po paguajmë pensionet. Shokët mund t’i nxirrnit njësoj edhe pa reformë, dmth pa i marrë lekë popullit. Por nejse. Ka fjalë se SPAK-u do merret vetëm me gjobat e makinave.”– shkruan Klodian Tomorri.
Dokle u lirua sot nga burgu me vendim të Gjykatës së Krujës. Vendimi u mor nga gjykatësja Enkelejda Hoxha, me argumentin se i dënuari ka kryer 3 të 4 e dënimit dhe kishte sjellje të mirë në burg. Ky vendim pritet të apelohet nga prokuroria e Krujës.
