Ministri në fuqi për Fatkeqësitë Natyrore, Bledi Çuçi ka bërë një përmbledhje të situatës aktuale pas tërmetit të 26 nëntorit përsa i përket dëmeve të banesave.
Ai thotë se është kaluar në fazat e vlerësimit fillestar dhe atë të vlerësimit të raportit përfundimat. Sipas Çuçit unifikimi i formularit, i realizuar vetëm në katër ditë ndihmon shumë në vlerësimin real të dëmeve dhe llogaritjen e kostove.
FJALA E ÇUÇIT
FAZA I. – VLERËSIMI FILLESTAR
Në fazën e parë, menjëherë pas goditjes fatkeqe të 26 nëntorit, në periudhën 27 nëntor – 7 dhjetor bëmë vlerësimin urgjent dhe fillestar të dëmeve në ndërtesa.
Ky vlerësim kishte për qëllim përcaktimin e ndërtesave dhe banesave që paraqesin rrezikshmëri, dhe të cilat duhen shembur ose duhen shpallur të pabanueshme përkohësisht, me synim parësor, garantimin e sigurisë së jetës së banorëve.
FAZA II. – VLERËSIMI I RAPORTIT PËRFUNDIMTAR
Ndërkohë, në 8 dhjetor, filluam procesin e vlerësimit të ndërtesave që janë dëmtuar nga tërmeti, për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet.
Kjo fazë ka synim kryesor përcaktimin e saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve.
Për këtë qëllim, të dhënat për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, në këtë fazë, janë duke u administruar nëpërmjet një formulari të standardizuar, të përgatitur mbi modelet e Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara, ku mbledhja e përpunimi i të dhënave bëhet në kohë reale në mënyrë eletronike.
Ky formular i unifikuar shërben si instrumenti bazë për mbledhjen e të dhënave të vlerësimit në Aktin e Konstatimit nga Grupi përkatës i Verifikimit.
Sikurse e kemi njoftuar edhe më herët mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarket Durrës, Tiranë e Lezhë.
Dhe në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar rreth 300 inxhinierë, përfshirë edhe ekspertë e konstruktorë të huaj.
Ndërkohë, këtu përkrah meje kemi një Grup Verifikimi të FSHZH-së (Fondit Shqiptar të Zhvillimit), i cili ka 9 grupe në terren dhe ka marrë si detyrë të verifikojë dëmet e tërmetit në Njësinë 5 në Durrës, në të cilën janë 7580 objekte, prej të cilave deri tani, janë verifikuar rreth 2000 ndërtesa.
Çdo grup verifikimi, ashtu sikurse edhe grupi ynë, përbëhet nga minimumi 2 inxhinierë.
Më herët gjatë ditës së sotshme, ky grup ka kryer verifikimin dhe vlerësimin e dëmtimeve të ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku të dhënat dhe informacioni janë administruar nëpërmjët këtij formulari të standartizuar (Akt Konstatimi: Mbi verifikimin në terren të subjekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26/11/2019).
Të dhënat e mbledhura në formatin e printuar të formularit janë gati të hidhen në sistemin online të administrimit informacionit për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Atëherë, ju ftoj të ndjekim në kohë reale hedhjen e të dhënave nëpërmjet pajisjeve tablet në sistemin online.
Atëherë, ky ishte një demonstrim në kohë reale se si funksionon në mënyrë të integruar, të centralizuar dhe sistematike procesi i elektronik i mbledhjes së të dhënave të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të tërmetit nga grupet e verifikimit në terren dhe qendrës së përpunimit të të dhënave online.
Ngritja e një sistemi të tillë në kohë rekord, vetëm brenda katër ditëve, është një ndihmesë e madhe për ecurinë e procesit të vlerësimit të saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve.
Këto të dhëna do janë edhe baza e informacionit për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet, si një dokument themelor për organizimin e konferencës së donatorëve dhe sigurimin e mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë në procesin e rindërtimit.
Duke ju falënderuar për vëmendjen, jam i hapur për pyetjet tuaja lidhur më procesin e vlerësimit të dëmeve!
