Nga Astrit Meha
Proporcionaliteti në interesin publik, është themeli i të dhënit drejtësi. Neni 17 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se kufizimi i lirive lejohet vetëm me ligj, për një interes publik dhe duhet të jetë proporcional me gjendjen që e ka diktuar. Në rastin e Erion Veliajt, cenimi i lirisë së tij, si përfaqësues i zgjedhur, hap debatin: A është ky kufizim proporcional dhe në interes publik, apo një shembull i kalimit nga demokracia në gjyqokraci, ku një gjykatës merr vendime që cenojnë të drejtën themelore të qytetarëve për të zgjedhur?
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) përcakton se kufizimet duhet të jenë:
· Të përshtatshme: Për një qëllim legjitim.
· Të nevojshme: Duke përdorur masën më të butë të mundshme.
· Të balancuara: Ku dëmi i shkaktuar të mos tejkalojë përfitimin publik.
Korniza Ligjore Shqiptare:
Kushtetuta:
· Neni 1: Zgjedhjet e lira janë themeli i qeverisjes.
· Neni 2: Sovraniteti ushtrohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur.
· Neni 109: Kryetari i Bashkisë zgjidhet nga qytetarët me votim të drejtpërdrejtë.
Kodi i Procedurës Penale:
· Neni 242: Ndalon pezullimin nga detyra të të zgjedhurve, duke mbrojtur të drejtën demokratike të përfaqësimit.
Kalimi nga Demokracia në Gjyqokraci:
Kur një gjykatës, i cili nuk ka mandat demokratik, vendos për përfaqësimin e qytetarëve, krijohet një precedent i rrezikshëm i gjyqokracisë. Ky është cenimi i të drejtës për të zgjedhur dhe qeverisur përmes votës, duke e zhvendosur balancën nga vullneti popullor te vendimi gjyqësor.
Rreziqet nga Shkelja e Proporcionalitetit:
· Institucionale: Paralizimi i funksioneve të bashkisë dhe vendimmarrjes.
· Politike: Krizë legjitimiteti dhe përplasje mes pushteteve.
· Sociale: Rritje e polarizimit dhe humbje e besimit publik.
· Ekonomike: Ndërprerje e projekteve dhe pasiguri për investitorët.
· Juridike: Precedent që minon shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e institucioneve.
Këto rreziqe janë përballë një interesi tjetër publik, që është mbrojtja e një hetimi penal. Por a mbrohet një hetim penal në dëm të të drejtave kushtetuese individuale (të drejtat e zt. Veliaj), që në këtë rast janë të pandashme me një interes më të lartë publik (qeverisja e zgjedhur)?
Prokuroria dhe gjykata duhet të mbrojnë hetimin penal, por për një interes publik dhe jo në dëm të një interesi publik më të gjerë, duke mos cenur funksionalitetin e pushteteve të tjera, apo aq më keq, garën demokratike (zgjedhjet), e cila duhet të jetë e lirë e pandikuar nga çdo ndërhyrje. Çdo ndërhyrje nën mirazhin e interesit publik nuk është gjë tjetër veçse një cenim i rëndë i vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur lirisht. Është një korrupsion zgjedhor me vendim gjykate.
Kur i ballafaqon këto interesa publike në mënyrë proporcionale, a është kufizimi i lirisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranës në detyrë në përputhje me gjendjen që e ka diktuar? Qartësisht, jo!
Interesi më i lartë publik është respektimi i demokracisë në këtë vend, e cila është kolona politike dhe kushtetuese e tij. Interesi më i lartë është qeverisja e Tiranës nga i zgjedhuri prej qytetarëve, i cili është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Interesi më i lartë është zgjedhje të ndershme, të barabarta dhe të lira nga çdo presion i jashtëm, përshirë edhe atë prokurorial apo gjyqësorë.
Prokuroria dhe gjykata duhet të ruajnë hetimin dhe gjykimin nga çdo ndërhyrje e papërshtatshme, por deri në masën ku nuk cenojnë vlerat themelore të Kushtetutës sonë dhe nuk dëmtojnë demokracinë. Kur cenohen këto vlera, interesit publik për ruajtjen e një procesi hetimor i mbivendoset një interes publik më i lartë: Qeverisja Demokratike.
Nëse prokurorët dhe gjyqtarët i mbivendosen kësaj vlere fondamentale, që mbron edhe shtetin e së drejtës, kemi ikur nga demokracia dhe jetojmë në kohën e gjyqokracisë.
Demokracia mbi Gjyqokracinë
E drejta për përfaqësim është një shtyllë kushtetuese. Kur gjyqësori uzurpon këtë të drejtë, kalojmë nga demokracia në gjyqokraci, ku vullneti i qytetarëve zëvendësohet nga vendimi i një gjyqtari pa legjitimitet përfaqësues. Demokracia nuk duhet të dorëzohet përballë një drejtësie që harron kufijtë e saj.