Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë ka reaguar pas deklaratës së PD-së përmes Albana Vokshit për situatën e COVID-19 në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet. Teksa PD denoncoi se nuk ka asnjë njoftim nga drejtoria e shkollës për prindërit e nxënësve, MASR thotë se mësimi vijon normalisht.
Pa dhënë shifra, MASR thotë se janë disa mësues që kanë rezultuar me COVID-19 dhe të tjerë që janë karantinuar, ndërkohë që janë marrë masat për zëvendësimin e tyre që mësimi të vijojë pa ndërprerje.
“Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme”, thotë MASR
Lexo edhe- PD ngre alarmin: Shkolla ‘’Emin Duraku’’ vatër e rrezikshme e COVID-19, 8 mësues të infektuar dhe…
INFORMIM
Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.
Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.
Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme.
Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave.
