Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në seancën e sotme parlamentare ka zgjedhur që mos të shkojë “duarbosh”.
Në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, ai është shfaqur me një thes të mbushur me ullinj në duar dhe një degë ulliri, për të treguar vështirësitë që po hasin fermerët për të gjetur treg, pasi prodhimet u kanë ngelur stok.
“Ka kaq shumë prodhim dhe kjo është mund dhe djersë e fshatarëve. Atje punojnë gjatë gjithë vitit, por problemi fillon duke filluar nga vjelja se nuk ka njerëz se kush t’i vjelë. Sot 1 litër vaj ulliri ke fat nëse e shet me 4 mijë lekë të vjetra. Qeveria nuk u jep asnjë subvencion fermerëve dhe fshatarëve për t’i ndihmuar. Qeveria nuk e di, ndaj ju bëj thirrje të heqin takat dhe të zbresin nga makinat e bukura dhe të shkojnë atje te fshatarët.”