Janë zbardhur debatet mes deputetëve demokrat në mbledhjen e grupit parlamentar. Në mbledhjen me dyer të mbyllura është diskutuar lidhur me aksionin e opozitës në parlament, për bashkimin e PD dhe të opozitës në tërësi.
Disa nga deputetët në mbledhje kanë kërkuar mbështetjen e tyre për ish-kryeministrin Sali Berisha me argumentin se demokratët duhet të mbrojnë figurat e tyre.
Ndërkohë, i ashpër ka qenë deputeti Dashnor Sula i cili ka ka kërkuar ngujim në parlament si dhe më pas edhe grevë urie.
Ai ka theksuar se Berisha mbështetjen ndaj Berishës mund ta tregojnë 10 minuta në darkë para banesës, por gjatë ditës të bëhet opozitë e fortë ndaj qeverisë “Rama”.
“Së bashku me Bledjonin, Dhuratën dhe Korreshin e kemi diskutuar ashpërsimin e aksionit tonë opozitar. Në duhet të kalojmë në një nivel tjetër tani. Ne jemi që të futemi në ngujim në Kuvendin e Shqipërisë si masë paraprake dhe nëse s’ka reagim, të shkojmë në grevë urie dhe t’i qëndrojmë deri në fund, qoftë edhe të japim jetën aty. Unë jam i gatshëm. Sa i takon një çështje tjetër. Nëse juve doni të mbështesni Sali Berishën, e mbështesni 10 minuta, gjysmë ore në darkë, por gjithë ditën duhet të bëni opozitë. Nuk bëhet opozitë vetëm poshtë dritares së Sali Berishës. Nëse do bëni këtë opozitë, Rama në 2025 merr një numër treshifror deputetësh. Duhet të bëhemi alternativë, jo parti qokash personale.” është shprehur Sula.