Deputetja e PD-së, Flutura Açka nga seanca plenare në Kuvend, foli për projektligjin që prek mediat audiovizive, të cilin ajo e konsideroi si një arnim të ligjit për mediat. Ndërsa diskutohej projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 për mediat audiovizive, në fjalën e saj në Kuvend, Açka tha se ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA.
“Vonesa nga mbyllja e procesit të diskutimit publik, deri në përcjellje në Parlament, shqyrtimi me publikun në vetëm një muaj kohë, mospërfshirja e të gjitha grupeve të interesit në amendimet e nevojshme, mungesa e konsultës me shoqatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve edhe pse ligji bën rregullime të tilla, shtyrja për një kohë tjetër e sugjerimeve të përfaqësuesve të biznesit të fushës, nxitimi për ta kaluar në parlament veshur me ambalazhin e detyrimeve të procesit të integrimit, më bëjnë skeptike, gjë që do ta bëjë skeptike edhe votën time.
Ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA dhe madje shumë shpejt një infrastrukturë te re për kryerjen e detyrave që i lë ky ligj. Jam e bindur se AMA do të vijë shumë shpejt me një kërkesë të re për shtimin e personelit, ku nuk ka as pak javë që kaluam në heshtje të plotë një rritje prej 30 % të tij dhe më së shumti personel pa efektivitet, magazinierë e postierë, jo monitorues e mbikëqyrës të tregut audioviziv”, tha ajo.
