Përfitimi i pagesave të paaftësisë së përkohëshme në punë (për shkak të sëmundjeve) që mbulohen nga sigurimet shoqërore mund të vijojë deri në gjashtë muaj, teksa për raste të caktuara kjo periudhë mund të shtyhet edhe me tre muaj më shumë. Të drejtën për të siguruar këto të ardhura për sëmundje e përfiton çdo person i siguruar, që përkohësisht vlerësohet nëpërmjet raporteve mjekësore si i paaftë për punë. Por kjo lloj paaftësie në asnjë rast nuk duhet të jetë si rezultat i ndonjë aksidenti të mundëshëm në punë, apo i ndonjë sëmundjeje profesionale. Për raste të tilla nuk mund të përfitohet pagesa e paaftësisë së përkohëshme në punë nëpërmjet skemës së sigurimeve shoqërore.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, në përgjithësi e ardhura e paaftësisë së përkohëshme në punë nis të paguhet duke nisur nga dita e 15 e raportit mjekësor, për të vijuar deri në 6 muaj. Përjashtimit për raste të caktuara periudha e përfitimit të kësaj pagese mund të shtyhet edhe me tre muaj më shumë nga koha e përcaktuar, kur komisioni i mjekëve ekspertë (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) provon që personi i siguruar do të shërohet në këtë periudhë dhe nuk do të deklarohet invalid. Ndërsa të ardhurat në rastin e sëmundjes për periudhën deri në 14 ditët e para ose të kujdesjes së fëmijës në ngarkim paguhen nga punëdhënësi, sipas përcaktimit në Kodin e Punës dhe në kontratën e punësimit, ose sipas marrëveshjes që do të ketë me përfaqësuesit e punëtorëve, por jo më pak se pagesat e përcaktuara në ligjin përkatës të sigurimeve shoqërore.
Po sipas kushteve të përcaktuara në skemë për personat që marrin pension invaliditeti periudha e përfitimit të pagesës së paaftësisë së përkohëshme nga sëmundja është deri në 3 muaj nga data e fillimit të pagesës. Sigurimin e kësaj të ardhure nëpërmjet sigurimeve shoqërore kanë të drejtë që ta përfitojnë edhe punonjësit sezonalë, apo ata të përkohshëm. Për këtë kategori është vendosur si kushte që për të marrë këtë pagesë duhet që në 12 muajt e fundit të kenë qenë të punësuar për të paktën tre muaj. E ardhura për sëmundje për këtë kategori punonjësish mund të përfitohet deri në 75 ditë në total.
Masa e të ardhurës së kësaj pagese kushtëzohet nga vjetërsia në punë që ka secili person. Kështu të ardhurat për sëmundje llogariten deri në 70 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim. Kjo e ardhur do të jepet në masën 80 për qind për rastet kur aplikuesi ka mbi 10 vite sigurim. Nga ana tjetër për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto, të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës.
Në rastet kur komisioni mjekësor kompentent vlerëson se punonjësi duhet të ndryshojë vendin e punës për arsye shëndetësore apo të punojë me orar të reduktuar, gjithashtu ka të drejtë që të marrë nga sigurimet shoqërore edhe një kompensim të ardhurash për sëmundje. Për këtë kategori personash, shuma e të ardhurës që do të përfitohet si kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës së mëparshme dhe pagës së vendit të punës së re. Në asnjë rast kjo e ardhur nuk mund të jetë shkojë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës. Periudha e përfitimit nuk duhet të kalojë 3 muaj gjatë një viti nga dita e fillimit të sëmundjes, për të cilën është ndryshuar edhe vendi i punës.
Afatet e përfitimit:
- Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohëshme fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe do të zgjasë jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës.
- Periudha e përfitimit mund të zgjatet përjashtimisht deri në 3 muaj të tjerë, në rast se komisioni i mjekëve ekspertë (KMCAP) provon që personi i siguruar do të shërohet në këtë periudhë dhe nuk do të deklarohet invalid.
- Periudha e përfitimit të paaftësisë së përkohëshme nga sëmundja, për ata që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, është deri në 3 muaj nga data e fillimit të pagesës.
- Periudha e përfitimit për punonjësit sezonalë dhe të përkohshëm, të cilët kanë qenë të punësuar të paktën 3 muaj në 12 muajt e fundit, është deri në 75 ditë.
