Një dëshmi tronditëse dhe thirrje të dëshpëruara për ndihmë nga një djalë i ri nga Elbasani që pret të shtrojë nënën e tij me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ka ngjallur reagime të forta pasditen sotme në opinionin publik.
I riu tha mes lotësh për gazetarin e “Neës24” Erjon Skëndaj se nëna e tij po bënte disa orë që priste në ambulancë, pasi urgjenca nuk ka vende.
Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, në një reagim përmes rrjeteve sociale, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se kjo dëshmi është tragjikisht e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre.
Teksa publikon në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Basha shprehet i tronditur nga këto pamje, pasi siç thotë ai, dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën.
“Jam shumë i tronditur nga këto pamje. Dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën. Kjo është tragjikisht, e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre. Nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë! Kësaj i druheshim, prandaj kërkuam prej fillimit të merreshin masa serioze dhe të bëhej gjithçka për ti dalë të keqes para. Boll më me propagandë dhe gënjeshtra. Janë jetë njerëzish që kur ikin nuk kthehen më!”, shprehet kryetari i PD-së Lulzim Basha.
