Ditën e djeshme u përmbyll afati zyrtar i pranimit të kandidaturave për kreune ri të shtetit, ku palët kishin të drejtë të dorëzonin propozimet e tyre deri në orën 16:00. Por, Kuvendi i Shqipërisë bëri me dije se nuk ka asnjë kandidaturë të regjistruar, duke bërë që raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të digjet.
Ndërkohë, këtë paradite në orën 09:00 u mblodh komisioni i ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ndërsa pasdite në orën 17.00, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon raundin e parë të votimit.
Komisioni i Ligjeve ka konstatuar se nuk ka asnjë kandidaturë për president.
“Komisioni i Ligjeve mblidhet për të shqyrtuar kriteret kushtetuese pas paraqitjes së emrave. Sipas njoftimit nga drejtoria përkatëse Kuvendit deri dje nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për president të Republikës. Raundi i parë konsiderohet i kryer pa votim. Për efekt të rregullores ne do të na duhet që ta konstatojmë këtë fakt, për t’ja paraqitur më par Kuvendit.’- u shpreh kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka.
Socialistët i mbajnë ende diskrete emrat e propozuar në zarfe, ndërkohë që opozita është e përfshirë në dy grupe paralele negociatorësh të cilët do të kenë si qëllim nxjerrjen e një apo disa kandidaturave konsensuale që do të kërkonin edhe votat e shumicës.
Megjithatë, raundin e parë për Presidentin, socialistët dhe demokratët e konsumuan pa asnjë kandidat. Kushtetuta ka parashikuar që tre raundet e para të zhvillohen me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ku mazhoranca i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme Presidentin.
Taulant Balla deklaroi pas negociatave këtë fundjave se qëllimi i PS është të shkojë drejtë një emri konsensual me opozitën, ndërkohë që aleatët e PD kërkojnë që ndryshe nga propozimi i Enkelejd Alibeajt, kreu i ri i shtetit të jetë një profil politik.
