Vrasja e Iljaz Çalit tek mbikalimi i Rinasit në Tiranë dyshohet se ka ardhur për shkak të konflikteve që buronin nga biznesi i kromit që posedonte viktima. Kjo pohohet edhe nga rrëfimet e familjarëve dhe miqve të tij të cilët thonë se ai ka pasur konflikte të hapura vetëm për shkak të biznesit të kromit, duke e përjashtuar kështu pistën e konflikteve për shkak të drogës.
Nga verifikimet paraprake të policisë, rezulton se viktima, Iljaz Çali kishte kohë që i kishte dhënë biznesin e tij të kromit një tjetër personi për shfrytëzim, por ai nuk ka paguar detyrimin dhe kjo ka bërë që të lindin mosmarrëveshje mes tyre.
Gjithashtu, një tjetër konflikt i hapur i tij ishte me një tjetër biznesmen që shfrytëzonte minierat e kromit dhe galeritë e tyre ishin shumë pranë. Kryesisht, ata konfliktoheshin me njëri-tjetrin për shkak të gërmimeve.
Por nuk përjashtohet as një konflikt më i hershëm i Calit i cili lidhet po me minierën e kromit, ku thuhet se au ka pasur mosmarrëveshje për shkak të rrugës që të çon në galeri.
Nga ana e policisë po shqyrtohen të gjitha këto konfliktet dhe deri më tani, ajo nuk ka veçuar asnjë prej tyre.
