Përveç luftës, mjekët në të gjithë Gazën po përballen me mungesë të medikamenteve, ndërsa kanë rrëfyer detaje tronditëse me vështirësitë që po përballen. Ata tregojnë se operacionet e pacientëve kryhen pa anestezi dhe trajtimi i plagëve bëhet me mjete të kufizuara mjekësore. “Për shkak të mungesës së ilaçeve kundër dhimbjeve, ne i lëmë pacientët të bërtasin për orë të tëra”, tha njëri për BBC.
Mjekët thonë se ata po luftojnë me furnizime të kufizuara mjekësore. “Ne nuk mund të gjejmë një pikë oksigjen”, tha njëri për BBC. “Na mungojnë anestetikët, furnizimet për ICU, antibiotikët dhe së fundi qetësuesit e dhimbjeve”, tha Dr al-Akkad. “Ka shumë njerëz që janë djegur rëndë, ne nuk kemi asnjë ilaç të përshtatshëm për ta”. Një mjek konfirmoi se operacionet po vazhdonin pa anestezi. Një ekip i OBSH-së tha se kohët e fundit takuan një vajzë shtatëvjeçare në spitalin Evropian të Gazës, e cila vuante nga 75% djegie, por nuk mund të merrte lehtësim dhimbjesh për shkak të mungesës së furnizimeve.
Dr Mohamed Salha, ushtrues detyre i drejtorit të spitalit Al-Awda të Gazës veriore, tha se njerëzit ishin transportuar për trajtim atje me gomarë dhe kuaj. “Katastrofa është kur plagët e pacientëve kalben, pasi plagët janë të hapura për më shumë se dy-tre javë”, tha ai.
