Zbardhen të tjera detaje nga dhunimi i dy vajzave në mes të ditës në një nga zonat më të njohura dhe të populluara në Tiranë, ngjarje për të cilën akuzohet një personazh i njohur për policinë, ish-i dënuar për vrasje.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi se dy vajzat kanë dëmtime të shumta në fytyrë dhe trup, kryesisht në gjymtyrë por gjendja e tyre është e stabilizuar.
Lexo edhe- Dhunohen dy vajza në mes të ditës, në kërkim Elidon Kotorri
Tre personat përfshi Elidon Kotorrin i kanë qëlluar me grushta dhe vajzat kanë kryesisht shembje.
Vajzat me inicialin e parë O. dhe D. kanë dëshmuar për policinë se sapo kishin dalë nga puna në një market kur një makinë iu është afruar dhe tre djem që ndodheshin në të i kanë ngacmuar dhe iu kanë kërkuar të shkojnë me të. Fillimisht vajzat nuk kanë folur por pasi makina ka vijuar t’i ndjekë, iu kanë kërkuar tre autorëve të dyshuar t’i lënë rehat.
“Pasi i refuzuam, kaluan para nesh dhe ndaluan 50 metër më poshtë. Fikën makinën dhe pritën. Kur u afruam nisën të ofendonin e fyenin ‘çfarë ju duket vetja shumë të bukura që na refuzoni’ dhe na kanë rrahur e qëlluar. Na kërcënuan. Më pas na kanë lënë aty e kanë ikur. Njoftuam vetë policinë dhe ambulancën”, kanë dëshmuar vajzat.
Policia ka shpallur në kërkim Elidon Kotorrin dhe 2 bashkëpunëtorët e tij që akuzohen për plagosje dhe kanosje.
Kotorri sot 45 vjeç është dënuar më parë për vrasje dhe plagosje. Në ‘98 ka vrarë Andi Hasanin, Sokol Agushin dhe Gazment Zenelin, ndërsa ka plagosur Gregor Stefanin. Ngjarja ndodhi për hakmarrje për vrasjen e shokut të tij Elidon Zaimi. Ai u dënua me burgim të përjetshëm e më pas me 25 vjet, nga të cilat bëri vetëm 19 sepse me gjithë kohën e paraburgimit i llogaritet 25.
Kotorri u ankua në gjykatën e Strasburgut, ku ngriti pretendimin për proces të parregullt sepse ADN i ishte marrë pa avokat dhe fitoi lirinë./ GSH
