Një 69-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar me urgjencë me helikopter nga Pogradeci drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi dyshohet se është dhunuar nga bashkëshorti i saj 78-vjeçar.
Sipas informacioneve nga policia, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 1 të Pogradecit, pas një konflikti verbal në banesë, shtetasi M. Sh., 78 vjeç, dyshohet se ka goditur bashkëshorten e tij me një shkop druri në kokë.
E dëmtuara fillimisht është dërguar në spitalin e Pogradecit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është bërë i nevojshëm transportimi me helikopter drejt Tiranës.
Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Pogradecit, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
