Burime pranë Drejtorisë së Policisë Dibër bënë me dije se një drejtues mjeti është vënë në pranga pasi e drejtonte atë në gjendje të dehur. Sakaq një shtetas tjetër në fshatin Selishtë është proçeduar penalisht pasi u kap teksa transportonte lëndë drusore pa lejen e autoriteteve vendore Dibër.
Rastet e drejtimit të mjeteve nga shoferë që konsumojnë alkool janë shtuar kohët e fundit në rajonin e Dibrës. Po ashtu për shkak të afrimit të stinës së dimrit janë shtuar rastet e prerjes së paligjshme të pyjeve.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet në flagrancë një shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Dibër, arrestuan në flagrancë shtetasin Q.Gj., 47 vjeç, banues në fshatin Kastriot, pasi u kap duke drejtuar automjetin e tij, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin A.L., 27 vjeç, banues në fshatin Selishtë, pasi u kap duke transportuar me një automjet tip fugon, lëndë drusore të cilën e kishte prerë në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.