Shkodra është tronditur mbrëmjen e të mërkurës (15 qershor) nga një vrasje me armë zjarri. Viktimë ka mbetur një i moshuar, 74-vjeçari Lulash Qepuri, i cili është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar.
Në momentin kur ndodhi ngjarja, rreth orës 22:00 Qepuri ishte në ambientet e lokalit në pronësi të tij në fshatin Stomgolem në njësinë administrative Rrethinat.
Autori
Mësohet se personi që ka qëlluar ndaj 74-vjeçarit ka qenë i maskuar dhe ka ardhur nga ura e Bardhajve në drejtim të Stomgolemit, aty ku ishte edhe i moshuari. Autori ka qëlluar disa herë me pistoletë duke e lënë të plagosur fillimisht, por më pas ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve duke ndërruar jetë në spitalin rajonal të Shkodrës. Më pas, autori ashtu siç ka ardhur në këmbë është larguar me vrap në këmbë.
Djali i viktimës ka qëlluar autorin
Pasi është qëlluar ndaj 74-vjeçarit, djali i tij ka marrë një armë dhe i është kundërpërgjigjur. Pra janë përdorur dy armë zjarri, pistoleta e autorit dhe armë që është përdorur nga djali i viktimës, një shotgun.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja, 10 janë nga pistoleta dhe të tjerat nga shotgun-i. Po ashtu mendohet se skena mund të jetë filmuar nga kamerat e sigurisë, të cilat pritet të sekuestrohen nga policia. Ndërkohë djali i viktimës është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime të mëtejshme.
Hetimet
Vrasja e 74 vjecarit, Lulash Qepuri është e e paqartë, por ajo që dihet është se në vitin 2012 ai është arrestuar për drogë dhe armëmbajtje pa leje. Dyshimet e para që ka policia janë për shkak të drogës, por nuk përjashtohen edhe pistat e tjera.