Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj nisi sot nga puna. Kishte premtuar gjatë fushatës se do të punonte pa u lodhur për kthimin e qytetit të Burrelit në normalitet. Paradite ai inspektoi drejtoritë që operojnë në këtë njësi vendore, ndërsa pasditja ishte më intenstive.
Malaj urdhëroi Policinë Bashkiake e cila në bashkëpunim edhe me Policinë e Rendit, largoi automjetet nga oborri i bashkisë duke ia kthyer qytetarëve, ndalimin e qarkullimit nga ora 19.00 deri në 22.00 në sheshin “Demokracia”, larjen e sheshit me ujë në mbrëmje si dhe vendosjen e koshave të rinj për mbetjet e qytetit.
Prej katër vitesh qytetarët e Burrelit nuk kishin shëtitur të lirë në sheshe, rrugë e trotuare. Kudo sundonte kaosi dhe rrëmuja. Qytetarët kishin frikë të lëviznin normalisht në mjedise publike. Vetëm pak orë pas vendosjen së rregullit kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj ka marrë qindra mesazhe falenderimi nga qytetarët. /tirananews.al/