Në ditën e tretë të grevës nga ana e pedagogëve, përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve universitarë thonë se mbështetja për kauzën e tyre është rritur dhe se nesër do të mbajnë një protestë kombëtare.
Drejtuesi i Sindikatës, Sandër Kovaçi, tha se pedagogët që janë kërcënuar me largim nga puna nuk duhet të shqetësohen. “Nuk ka asnjë mundësi të marrë masë administrative kundër tyre në kohë proteste. Ka kushtetutë për protestën”, tha Kovaçi nga shkallët e Universitetit Politeknik, ku një pjesë e pedagogëve mblidhen çdo ditë në orën 10:00.
Nga ana tjetër, Kovaçi tha edhe se pavarësisht protestës, nuk rrezikohet viti i ri akademik. “Asnjë student nuk do të humbasë orët e mësimit”.
