Prokurorët e çështjes “Avdylaj” kanë reaguar pas deklaratës së demokratit Enkelejd Alibeaj i cili tha se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është përfshirë në përgjimet e kësaj dosjeje.
“Në lidhje me njoftimin publik të bërë të ditur në konferencën për shtyp datë 28.01.2019 nga z. Enkeled Alibeaj në selinë e Partisë Demokratike, se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, znj. Donika Prela rezulton e përfshirë në përgjimet e dosjes nr. 339 në komunikimin me anëtarë të grupit Avdylaj, ju bëjmë me dije se faktet e deklaruara janë të pavërteta”, thuhet në shkresën që mban firmën e dy prokurorëve të çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.
Më herët Alibeaj tha se “organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm”, tha Alibeaj.
Çështjen e Avdylajt në Durrës e ka patur pikërisht prokurorja Teuta Rrudha.

