Skadimi i afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike këtë janar ka sjellë radhë të gjata para njësisë numër 3 dhe 4 në Tiranë. Qytetarë të shumtë i janë drejtuar zyrave të gjendjes civile për të rinovuar kartat e identitetit dhe pasaportat ndërkohë zyrat e Gjendjes Civile pritet të punojnë jashtë orarit për të përballuar fluksin. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledi Doracaj, në një prononcim tha se po punohet për të përballuar fluksin dhe këshilloi qytetarët që të paraqiten në këto zyra me kuponin e blerë tek posta shqiptare dhe me dokumentin e vjetër identifikues. Doracaj tha se qytetarët që nuk do të rinovojnë kartën nuk do të marrin asnjë shërbim në zyrat e shtetit.
“Për shkak të komunikimit dhe skadimit të kartave dhe pasaportave ka një fluks të shtuar të radhëve tek zyrat e Gjendjes Civile. Punonjësit e Aleat dhe Gjendjes Civile do të jenë në punë edhe nesër. fluks ka kryesisht në bashkitë e mëdha, do punojmë jashtë orarit dhe në ditët e pushimit. Fluksi është në rritje edhe për shkak të sensibilitetit. Të gjithë qytetarëve që iu skadon karta nuk mund të marrin asnjë shërbim në zyrat e shtetit. Ndjesë dhe faleminderit të gjithë qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes sonë. Do ofrojmë kushte më të mira, do shtohen 80 sportele në të gjithë Shqipërinë. Çdo qytetar duhet të ketë me vete kuponin që blen tek Posta Shqiptare dhe dokumentin e vjetër të identifikimit”, deklaroi Bledi Doracaj, drejtori i Gjendjes Civile