Rasti i mohimit të vizës deputetit Tom Doshi dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla rreth një vit më parë bënë bujë në Shqipëri, dhe sot ambasada e SHBA thotë se pozicioni i Amerikës mbetet i pandryshuar kundër korrupsionit.
“Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar të 2017, ambasada e SHBA iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre. Kjo është diçka përpos përcaktimit të deputetit Tom Doshi dhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjeve të tyre nga Sekretari i Shtetit si të pakualifikueshëm për viza amerikane përgjithmonë. Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synim i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish zyrtareve mbetet e pandryshuar”, përfundon përgjigjen zyra e shtypit e ambasadës amerikane dhënë për gazetën “Panorama”.
Ndërkohë në sqarimin e një viti më parë lidhur me revokimin e vizës për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe bashkëshorten e tij ambasada e konsideroi rast flagrant të abuzimit me një vizë zyrtare të një prokurori të nivelit të lartë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre” tha në atë kohë ambasada e SHBA.