Krahas Vangjush Dakos në pyetje do të merren të gjithë drejtuesit e shtabit elektoral të PS-së të angazhuar në fushatën për zgjedhjet e 2017-tës.
Bëhet fjalë për hetimet e dosjes 339, që sipas burimeve të “Tv Klan” prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi po marrin në pyetje dhe shtabin elektoral.
Lexo edhe- Vangjush Dako dëshmon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Ata kanë marrë dëshmitë e disa prej tyre, ndërsa pritet që dhënia e sqarimeve të vijojë edhe në ditët në vijim. Këtë të enjte, për më shumë se 5 orë, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve Mara dhe Premçi lidhur me njohjen me vëllezërit Avdylaj. Dako ka rrëfyer në Prokurori njohjen me Astrit dhe Altin Avdylaj dhe ka mohuar të ketë dijeni mbi blerjen e votave.
Sipas “TV Klan”, kryebashkiaku i Durrësit ka sqaruar se persona të ndryshëm mund t’u kenë ofruar para votuesve, por ai nuk ka qenë në dijeni apo për më tepër ta ketë aprovuar këtë gjë. Në përgjimet e bëra publike, deri tani Vangjush Dako është regjistruar vetëm një herë duke folur me Altin Avdylin, i njohur ndryshe si “Niçja”, ndërsa në një përgjim të dytë del “Niçja” dhe një tjetër person.
Mësohet se pyetja e Vangjush Dakos dhe shtabit elektoral të Partisë Socialiste që u angazhuan në fushatë në Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2017 ka ardhur për shkak të përfundimit të zbardhjes së disa dhjetëra CD-ve të reja me përgjime nga ajo që njihet si dosja 339. Përgjimet e kësaj dosje gjatë operacion “Vol-vo 4” çuan në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogës dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.
Ndërsa hetimi për blerjen e votave në Durrës u veçua në një tjetër dosje, 339/1. Lidhur me këtë dosje, opozita radikalizoi qëndrimet e saj, pas publikimit në media të disa fragmenteve dhe bisedave ku vëllezërit Avdylaj komunikonin në lidhje me blerjen e votave në Qarkun e Durrësit, duke përmendur edhe kryebashkiakun, Vangjush Dako.