Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Jeta Deda, teksa fliste për sigurinë ushqimore veçanërisht në sezonin e verës, iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos blejnë ushqime të tregtuara në rrugë.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Deda u shpreh se duhet bërë gjithashtu shumë kujdes me etiketat të cilat duhet të jenë në gjuhën shqipe, si dhe për kushtet e ruajtjes së produkteve.
“Do të thosha që ajo nga e cila duhet të ketë kujdes konsumatori është që produkti të jetë i pajisur me etiketë, e jo me një gjuhë të panjohur, por në gjuhën shqipe, ndryshe do të thotë që nuk ka kaluar në sytë e ekspertëve, AKU dhe se nuk ka një fletë analizë. Një nga rastet është alergen, p.sh. kikiriku ose soja, të cilët rrezikojnë jetën dhe shëndetin e personave të cilët mund të jenë alergjikë ndaj tyre. Nuk është qëllim vetëm goditje e informalitetit po të kemi në tryezë produkte të kontrolluara, një produkt me certifikatë fitosanitare, të gjitha janë të rëndësishme. Të shmanget blerja në rrugë dhe të rritet në operatorë të kontrolluar. Për pjesë e kontrabandës duhet të shprehemi bashkë me doganat e policinë, flasim për mallrat që kalojnë në pikat e inspektimit kufitar, pra janë në sistemin e gjurmimit. Brenda këtij viti jemi pjesë e sistemit që importet dhe eksportet do të kalojnë online për të qenë të aksesueshëm për kontroll edhe nga qytetarët europianë. Etiketa tregon që kanë kaluar të gjitha hallkat, por duhet pasur kujdes që të shohim edhe kushtet e ruajtjes së produkteve. Sa i përket rrezikut e korruptueshmërisë së inspektorëve, kemi ndjekur një metodë sa i përket denoncimeve. Përveç që kemi raportuar në drejtorinë përkatëse, në një moment të dytë kemi dërguar strukturën tonë të rrjetit antikorrupsion për të vëzhguar. Ky pozicion ka pasur raste suksesi që ka dërguar në autoritetet përkatëse raste të cilat janë ndëshkuar.”