Ka qenë me ngarkesë të madhe emocionale konferenca e sotme për mediat në zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga ku Drejtori i Përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus teksa tensionet mes tyre dhe SHBA janë në rritje, këmbënguli se agjensia e tij nuk kishte mbajtur informacione të fshehta në lidhje me koronavirusin për asnjë komb.
Trajtimi që OBSH i ka bërë pandemisë së koronavirusit është kritikuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili pezulloi fondet për të javën e kaluar, duke thënë se kjo organizatë nuk kishte arritur të menaxhonte siç duhet shpërthimin dhe po i besonte shumë Kinës.
Në konferencën televizive, Dr Tedros tha se rreth 15 përfaqësues të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ishin pozicionuar në OBSH që nga janari dhe ishin mbajtur të informuar kur virusi shpërtheu.
“Ne nuk kemi sekrete në OBSH, dhe sa më shpejt që marrim informacionet, ne i transmetojmë ato – sepse bëhet fjalë për jetë,” i tha Dr Tedros.
Ai më pas paralajmëroi se mosmarrëveshjet politike mund të pengojnë përpjekjet për të shpëtuar jetë.
“Ti e di se nga vij – unë e njoh luftën. Unë e njoh varfërinë. Unë e njoh sëmundjen. Unë e di se si njerëzit vuajnë në të gjitha kushtet. Unë e di se si njerëzit vriten për shkak të varfërisë”, tha Dr Tedros, i cili është nga Etiopi, shkruan BBC.
“Ndoshta njerëz që nuk e dinë gjithë këtë … ndoshta ata kanë pasur një rrugë të lehtë në jetë. Ndoshta nuk e dinë se çfarë do të thotë lufta, çfarë do të thotë varfëria. Kjo është arsyeja pse unë jam plot emocione”.