Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka dërguar menjëherë një grup inspektimi në komisariatin e Kavajës.
Reagimi i tij erdhi menjëherë pas ngjarjes së ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete shtetasi I. M.
I riu, që dyshohet të jetë vetëvarur, ishte ndaluar po sot në mesditë.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia e Shtetit bën me dije gjithashtu se veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë së Kavajës.