Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e pranishme në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, tha se bektashinjtë janë faktor i rëndësishëm i bashkimit të shqiptarëve.
”Përgjatë nëntë dekadave e gjysmë, vendi ynë ka mbështetur dhe lehtësuar rrugëtimin e gjatë të Bektashizmit, duke vlerësuar kontributin e bektashinjve për paqen, tolerancën, miqësinë dhe mirëkuptimin mes njerëzve dhe popujve”, theksoi Spiropali.
Postimi i plotë
95 vite më parë, Shqipëria u bë shtëpia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Përgjatë nëntë dekadave e gjysmë, vendi ynë ka mbështetur dhe lehtësuar rrugëtimin e gjatë të Bektashizmit, duke vlerësuar kontributin e bektashinjve për paqen, tolerancën, miqësinë dhe mirëkuptimin mes njerëzve dhe popujve. Si “një urë mes tokës dhe qiellit”, bektashinjtë shqiptarë janë dalluar për kultivimin e vlerave të atdhetarizmit, dashurisë dhe tolerancës, për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të bashkimit të shqiptarëve.