Edhe pse kanë kaluar mbi dy javë nga ftesa e parë e bërë për dialog ndaj studentëve, kryeministri Edi Rama vijon t’i ftojë për të biseduar.
Kështu bëri edhe këtë të premte, më 6 nëntor, duke vendosur sërish ‘sofrën e gurtë’ përpara Kryeministrisë. Gjithashtu, vendosi edhe ftesa, ku shkruhet “Dialog”.
Kreu i qeverisë ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për të shqyrtuar kërkesat e studentëve dhe për të adresuar shqetësimet që ata ngrenë. Mirëpo, deri tani është refuzuar nga protestuesit.
Po sot, kryeministri pritet që të prezantojë një tjetër dritare dialogu online, për të gjithë qytetarët që kanë shqetësime reale. Rama në konferencën për mediat me ambasadoren e BE-së në Tiranë Sofia Moreira de Sousa deklaroi se tre grupe studentësh kanë dashur ta takojnë, por se janë kërcënuar e janë tërhequr.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare dialogu, që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Studentë që kërcënohen nga pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe u çojnë mesazhe të ndryshme atyre që mendojnë ndryshe.
Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Jo vetëm të kërcënuar, por edhe të bullizuar në ekstrem”, u shpreh Rama.
