Atentati që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit ku drejt automjetit të 29-vjeçarit me inicialet I.B., u qëllua me armë, me sa duket nuk ka qenë për ndonjë sherr banal.
Syri.net, raporton se automjeti ndaj të cilit u qëllua, përdoret nga Ani Dyrmishi, aktualisht kreu i Këshillit Bashkiak të qytetit bregdetar.
Policia raporton se në momentin që personat kanë hapur zjarr, automjeti ka qenë i parkuar por mësohet se ky ka qenë një paralajmërim për ish-drejtorin e Hipotekës.
Dyrmishi, gjithmonë ka mbajtur poste të rëndësishme. Në të shkuarën ka qenë drejtor i hipotekës së Durrësit ndërkohë që aktualisht përveç se është kreu i Këshillit Bashkiak, mban edhe postin e drejtorit të Hekurudhës Shqiptare.
Nga hipoteka e Durrësit, Dyrmishi u largua në vitin 2017 kur kryeministri Edi Rama kërkoi nga të gjithë drejtorët e hipotekave në mbarë vendin që të lironin postet.
Pak ditë më parë, ai pati edhe një konflikt verbal me kryetaren e bashkisë së qytetit bregdetar Valbona Sako. Kësaj të fundit i ndërpreu fjalën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Gjithashtu ai njihet si një nga mbështetësit kryesorë të Vangjush Dakos.
Në gjë e tillë merret me mend nga fakti se emri i Dyrmishit figuron edhe në dosjen e famshme “339”. Në këtë dosje janë përgjimet mes ish-kryebashkiakut të Durrësit Vagjush Dako dhe një prej anëtarëve të bandës së Avdylajve.
Edhe në vitin 2018 në makinën e tij u gjet një sasi tritoli por ai mohoi të kishte konflikte.
