Policia e Sarandës dhe ajo e Durrësit kanë finalizuar dy operacione kundër shpërndarës së drogave gjatë sezonit turistik. Si pasojë u arrestuan tre persona.
Në njoftimin e saj Policia e Vlorës bënë të ditur se janë arrestuar 2 shtetas, të cilët ishin nën hetim prej katër vitesh.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me sende të kundërligjshme dhe atyre të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasit në kërkim: J. G., 45 vjeç dhe A. M., 51 vjeç, të dy banues në Sarandë. Gjykata e Sarandës ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2019, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”, bënë të ditur Policia e Vlorës.
Në Durrës, u arrestua një person për shitje në doza, të drogave të forta, gjatë sezonit turistik.
“Si rezultat i një hetimi disa javor, të ndjekur me metoda speciale, nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit, në vijim të punës intensive gjatë sezonit turistik 2023, kundër krimeve në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Dealer”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë shtetasi: A. K., 32 vjeç, banues në Durrës.”, bënë të ditur Policia.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K. siguronte dhe shiste në hotele të ndryshme të qytetit të Durrësit, doza të lëndës narkotike kokainë. 32-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza të gatshme për shitje, 1 automjet dhe 1 celular.”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
