Organet e rendit në Herceg Novi të Malit të Zi njoftuan se kanë ndalur një 48-vjeçar nga Kosova me inicialet (I.B.) i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile.
“Ky person kërkohet nga Interpoli dhe UNMIK-u në bazë të një procedure penale të ngritur kundër tij nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.
Gjykata e Lartë e Podgoricës bëri të ditur se ka caktuar masën e paraburgimit me qëllim ekstradimi të individit në fjalë. Ditë më parë, në qytetin e Bjelo Poles në veri të Malit të Zi u arrestua një i dyshuar tjetër për krime lufte kundër popullsisë civile në territorin e komunës së Pejës në vitin 1999. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit me qëllim ekstradimi.
Mali i Zi thotë se do të njoftojë organet përkatëse të Kosovës për rastin në fjalë dhe presin dokumentacionin përkatës për ekstradimin e të dyshuarit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partisë pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi, ish Fronti Demokratik, i bënë thirrje qeverisë teknike të Kryeministrit Dritan Abazoviç që të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova, sepse siç thanë ata, “kjo do të destabilizojë edhe më tej situatën politike në vend”.