Gulnara Karimova, e bija e ish-diktatorit të Uzbekistanit Islam Karimov, po ndiqet penalisht nga autoritetet zvicerane si koka e një organizate kriminale ndërkombëtare. Kjo organizatë dyshohet se ka pastruar qindra milionë dollarë.
E njohur edhe me pseudonimin “Princesha e Uzbekistanit “, ajo akuzohet për vjedhjen e qindra milionëve nga vendi i saj dhe për ryshfet ndaj drejtuesve të biznesit dhe zyrtarëve qeveritarë në mbarë botën.
Karimova akuzohet për drejtimin e një “sindikate kriminale” që përdorte kompani të ndryshme dhe llogari bankare në Zvicër për të pastruar para. Sipas Times, organizata kriminale e drejtuar nga ish-diplomatja e OKB-së quhej “Byroja” dhe përfshinte më shumë se 100 kompani legjitime që punonin në fshehtësi për të fshehur paratë e vjedhura dhe për t’i bërë anëtarët e saj më të pasur.
Karimova gëzoi imunitet diplomatik për vite të tëra dhe udhëtoi nëpër botë, duke bërë një stil jete luksoz dhe duke pasur marrëdhënie me njerëz të famshëm. Përveç kësaj, më shumë se 400 milionë franga (rreth 440 milionë dollarë) janë ende “të ngrira” në llogaritë në emër të Karimova-s në banka.
