Një ngjarje çnjerëzore dhe tronditëse është zbuluar. Policia australiane ka identifikuar trupin e një gruaje, eshtrat e së cilës u gjetën brenda një muri betoni vitin e kaluar, ndërsa vlerëson se vrasja ka ndodhur më shumë se një dekadë më parë.
“Lee Glover, e lindur në vitin 1971, kishte dëmtime të shikimit dhe dëgjimit dhe ishte rreth 38 vjeç në kohën e vdekjes së saj”, tha policia e Queensland në një deklaratë të enjten. Glover ishte një “grua thellësisht e izoluar” për të cilën ekzistojnë pak prova pasi ajo as nuk u raportua e zhdukur.
Vdekja e saj u bë publike dhjetorin e kaluar, kur pastruesit gjetën mbetjet e saj pas një muri betoni në bodrumin e një kompleksi apartamentesh në Alderley në periferi të Brisbane. U deshën tetë muaj që autoritetet të konfirmonin identitetin e Glover duke përdorur ADN-në dhe bazat e të dhënave, u tha gazetarëve inspektori Andrew Massingham, duke shtuar se vdekja e saj po trajtohet si një vrasje dhe është nën hetim.
Policia kontaktoi prindërit e saj dhe ata thanë se kishin humbur kontaktin me të pak para zhdukjes së saj dhe besonin se ajo ishte zhvendosur diku tjetër në vend.
