Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 23-vjeçar i cili shpërndante drogëra të forta në lokalet e kryeqytetit.
Sipas policisë, ai ishte vënë në vëzhgim dhe në ndjekje, pasi për të disponohej informacion se në bazë porosie shpërndante në klubet e ndryshme të kryeqytetit lëndë narkotike të llojit kokainë në formë dozash.
Efektivët e kanë ndaluar në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë” për kontroll ku në mjet, G.X. iu gjetën tre doza kokainë.
Gjithashtu është ushtruar kontroll dhe në shtëpinë e tij, ku në pjesën e kompjuterit iu gjetën të fshehura 16 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 19 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë; peshore elektronike; dy aparate celular; dhe nje mjet.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
