Kukësi i ka dhënë lamtumirën sot edhe një tjetër futbollisti shumë të rëndësishëm të sezonit të fundit, Kristal Abazajt. Lojtari u huazua te verilindorët dhe u kthye në pikën e referimit për repartin e avancuar të kësaj skuadre me golat dhe asistet e tij.
Por edhe pse Kukësi kishte menduar që të mbante Abazajn për ndeshjet e Kupave të Europës, me drejtuesit e klubit që janë shprehur vazhdimisht të sigurt se do të ndodhte një gjë e tillë, situata është krejt ndryshe dhe Abazaj u ka dhënë lamtumirën nënkampionëve.
Ka qenë vetë klubi që e ka zyrtarizuar këtë lamtumirë me një postim në rrjetet sociale. “Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi Kristal Abazaj nuk është më pjesë e skuadrës sonë. Klubi i Kukësit e falënderon Abazajn për kontributin e dhënë me skuadrën tonë dhe i uron suksese në të ardhmen.
Abazaj erdhi në formë huazimi nga klubi belg i Anderlehtit dhe me fanellën e Kukësit shënoi 10 gola dhe iu besua një rol i rëndësishëm në skuadër. Faleminderit Kristal!”, shkruhej në njoftimn e Kukësit.
Në ditët në vijim pritet të mësohet ku do të jetë e ardhmja e Abazajt, i cili nuk do të kthehet te Anderleht, por do të gjejë një skuadër tjetër për të vazhduar karrierën e tij.